Qytete për t’u vizituar në jug

Vlora

I njohur në antikitet me emrin Aulona, Vlora është qyteti-port i dytë më i madh në Shqipëri. Vlora ka një vlerë të madhe historike ndër shekuj, pasi është edhe qyteti ku u shpall Deklarata e Pavarësisë shqiptare më 28 Nëntor 2012.
“Nimfa e brigjeve të Jonit” është epiteti që udhëtarët e huaj ndër vite i kanë vendosur këtij qyteti bregdetar përrallor, i cili ka pasur gjithnjë ndikim në historinë, politikat dhe ekonominë e Shqipërisë për shkak të pozitës së favorshme gjeografike.

Orikumi

Orikumi, i ndodhur në kryqëzimin e detit Adriatik dhe Jon, është një qytet i vogël bregdetar, rrëzë parkut të Llogarasë. Dikur, – rreth shekullit V para erës sonë, – falë pozicionit të volitshëm gjeografik, qyteti shërbeu si port strategjik. Një ndër betejat më të rëndësishme të karrierës ushtarake të Jul Çezarit, mes tij dhe kundërshtarit të fuqishëm, Pompeit, u mbajt në Orikum.
Për herë të parë në vitin 1958 një ekspeditë me ushtarakë dhe arkeologë shqiptaro-sovjetik gërmuan nën një sipërfaqe prej 400 metrash katrorë, duke zbuluar një monument në formë gjysmë harku, të cilin e interpretuan si teatër pasi aty u gjetën edhe disa shkallë të gdhendura në shkëmb. Në Orikun antik kërkimet arkeologjike u rikthyen rregullisht që prej vitit 2007 nga një mision kërkimi shqiptaro-zviceran me arkeologë, arkitektë, restauratorë dhe specialistë nga Europa.

Himara

Himara, e shtrirë në jug-perëndim të Shqipërisë, karakterizohet nga male e kodrina që thepisen drejtpërdrejtë në detin e kristaltë të Jonit. Gjiri i vogël por magjik i Himarës ofron pamje mbresëlënëse, duke e bërë atë një nga qytetet turistike më të vizituara të jugut.
Himara është e pasur në objekte kulturore dhe historike. Të apasionuarit pas gjetjeve arkeologjike mund të vizitojnë kështjellën e Himarës, dy kishat e stilit bizantin “Shën Maria” dhe kishën Episkopale.
Gjithashtu, Manastiri i Shën Marisë në Dhërmi, Kisha e Shën Theodhorit dhe e Gjithëshenjtorëve, Qeparoi i vjetër, Kështjella e Sopotit dhe Shpella e Piratëve janë disa atraksione turistike që gjenden afër me Himarën dhe mund të vizitohen nga të gjithë turistët.

Saranda

E vendosur në një shpat mali, Saranda njihet nga të gjithë si ‘kryeqyteti i verës’. Ky qytet bregdetar mban më shumë se 2000 vjet histori. Saranda është përmendur në shkrimet e shumë historianëve të njohur të antikitetit, si Straboni, Ptolemeu dhe Ciceroni.
Emri i Sarandës vjen nga një manastir i hershëm kristian që i kushtohet Dyzet Shenjtorëve (Ágii Saránda në greqisht dhe ‘Santi Quaranta’ në italisht). Manastiri i Dyzet Shenjtorëve është ndërtuar në shekullin VI dhe ndodhet në majë të malit. Kështjella e Lëkursit gjithashtu është e vendosur në pikën më të lartë të qytetit.
Në zemër të qytetit të Sarandës gjendet Sinagoga Bazilike, e cila doli në dritë pas gërmimeve arkeologjike. Pas këtyre gërmimeve, u zbuluan edhe një Bazilikë dhe dy mozaikë me figurat e peshqve.
Qyteti më i frekuentuar gjatë verës në Shqipëri ka edhe numrin më të lartë të ditëve me diell në Evropë, rreth 300 ditë.
Afërsia e saj prej pak minutash me fshatin e Ksamilit, i cili ofron gjire mahnitëse të detit të Jonian, shton më shumë joshjen drejt Sarandës.

Trashëgimia arkitektonike

Kështjella e Ali Pashës në Porto Palermo

Kështjella e Ali Pashës në gjirin e Porto Palermos, gjendet në afërsi të fshatit të Qeparosë. Me vendndodhje në gjirin tektonik të Porto Palermos (njohur në lashtësi si Gjiri i Panormës), kështjella e vogël në formë pentagoni u ndërtua në nder të gruas së Ali Pashës, Vasiliqisë.
Kështjella ka shërbyer gjatë si pikë vrojtimi dhe kontrolli i ujërave territorial, ndërsa është vendosur në një nga brigjet më mahnitëse të detit Jon. Ajo tërheq me mijëra vizitorë gjatë stinës së verës që janë kureshtarë mbi misterin dhe historinë që e rrethon atë.

Kështjella e Lëkursit

Kështjella e Lëkurësit ndodhet 2 km në jug të Sarandës. Ka formë katërkëndore, me kulla në secilin kënd. Kështjella u ndërtua në vitin 1537 me urdhër të Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, gjatë rrethimit të Korfuzit. Kështjella gjendet në pikën më të lartë të qytetit dhe pamja panoramike prej andej është e jashtëzakonshme.

Butrinti

Butrinti ndodhet në zonën më jugperëndimore të Shqipërisë. Parku Kombëtar i Butrintit ruan një pasuri të vyer e të lashtë të trojeve shqiptare.
Ky cep i Shqipërisë mes pyjeve dhe gjelbërimit mban në zemër një teatër të stilit grek dhe një forum të stilit romak. Butrinti është atraksioni arkeologjik më i rëndësishëm dhe më i vizituar në Shqipëri dhe pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që prej vitit 1992. Liqeni i Butrintit vlerësohet për biodiversitetin e florës dhe faunës.

Finiqi

Finiqi ndodhet në afërsi të Sarandës, 20 km në veri të Liqenit të Butrintit dhe kufirit të Shqipërisë me Greqinë. Vendgërmimi arkeologjik është i pasur me gjetje nga periudha bizantine e klasike.
Në Finiq gjenden objekte të rëndësishme arkeologjike, ku përfshihen një tempull i stilit ‘prostil’, një teatër, shembuj shtëpish helenistike dhe disa cisterna uji romake. Gjithashtu, ky vend piktoresk ka edhe një kishë të rëndësishme bizantine.

Bylisi

Bylisi është themeluar si vendbanim në shekullin III p.K. Bylisi, në stilin e polisit grek, shërbeu si qendër politike, ekonomike dhe kulturore e rajonit. Qeverisur nga një trupë shërbëtorësh civilë, Bylisi arriti zhvillim domethënës kur filloi të përdorte monedhat e bronzit dhe të njihej për artizanët e zotë.
Katedralja është veçanërisht mbresëlënëse. Përmban bazilikën, pagëzimoren dhe kompleksin e dioqezës. Porta drejt hyrjes dekorohet nga një mozaik masiv. Në të shpalosen motive të ndryshme dhe skena të jetës së barinjve e peshkatarëve. Bylisi është krenari e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.

Antigona

Qyteti i Antigonës pati jetë të shkurtër, vetëm 150 vite. U themelua nga një prej emrave më të njohur të lashtësisë, Mbreti Pirro i Epirit (319 – 272 p.K.). Në fillim të shekullit III p.K., Pirro u detyrua të luftonte në Egjipt.
Aftësitë e tij i bënë përshtypje Berenisës, gruas së Mbretit Ptoleme të Egjiptit, e cila i ofroi dorën e së bijës, Antigonës, për martesë. Për hir të mirënjohjes për gruan e tij të parë dhe familjen e saj, Pirro ndërtoi Antigonën.

Amantia

Parku Kombëtar i Amantias, i shtrirë në lartësinë e Maleve të Kurveleshit, është 50 minuta larg qytetit të Vlorës.
Përveç vendndodhjes spektakolare dhe biodiversitetit, Amantia ka qenë kryeqendra e fisit illir të Amantëve, rreth shekullit V p.K. Ndër strukturat arkitektonike që janë trashëguar në gjendje të mirë janë një stadium dhe një skulpturë e njohur si “Zoti i Fertilitetit”, që tashmë shfaqet në Muzeun Arkeologjik të Tiranës.

Apollonia

Ciceroni, oratori i famshëm romak, u mahnit nga bukuria e Apollonisë dhe në një prej filipikateve të tij i referohet si “magna urbs et gravis” (qyteti madhështor dhe i rëndësishëm). Qyteti i lashtë, themeluar në shekullin VII para erës sonë nga kolonizuesit grekë të Korintit dhe Korkyrës, ndodhet 11 km në perëndim të qytetit të Fierit. Rrënojat më interesante janë ato të “Këshillit të Qytetit”, “Biblioteka”, “Harku i Triumfit” dhe “Tempulli i Artemisit”.
Vlen të përmendet “Odeoni”, që daton prej shekullit II p.K., i cili dikur akomodonte përafërsisht 10,000 spektatorë. Ky destinacion mbresëlënës është lehtësisht i arritshëm dhe ofron pamje të mrekullueshme të vijës bregdetare të Adriatikut dhe një sërë objektesh me vlerë historike dhe arkeologjike.

Parqe natyrore

Gjiri i Gramës

Grama gjendet në jugperëndim të gadishullit të Karaburunit, në një gji të mbrojtur nga dallgët. Gjiri u quajt Grama (greqisht për “shkronjë”) prej gdhendjeve të shumta të lëna nga detarët që gjetën strehë në shpellat aty gjatë ditëve me stuhi. Gdhendjet më të vjetra i përkasin shekullit të III – II para erës sonë e arrijnë edhe periudhën romake e bizantine.
Dy drejtues të rëndësishëm ushtarakë dhe politikë të Republikës Romake, Sula dhe Pompei i riu, kanë lënë gjurmët e tyre në Gjirin e Gramës. Ky gji është lehtësisht i vizitueshëm në vijë detare fare pranë Green Coast Resort & Residences.

Parku kombëtar i Llogarasë

Parku Kombëtar i Llogarasë ndodhet 40 km në jug të Vlorës, aty ku takohen deti Jon dhe Adriatik. Njihet për pyjet e gjerë me pisha. Pisha Flamur është një prej pemëve më të larta në park dhe ka domethënie të jashtëzakonshme ekologjike.
Aktivitetet ajrore janë shumë popullore në këtë zonë, sidomos garat paragliding që organizohen brenda kufijve të parkut. Vargmalet e Vetëtimës dhe plazhet piktoreske shërbejnë si ambienti ideal për të organizuar aktivitete në natyrë. Në afërsi gjeografike, këtu nisin vargmalet Akrokeraune.

Parku Karaburun – Sazan

Parku detar i Karaburun – Sazanit, është i vetmi në Shqipëri i këtij lloji. Parku rrethohet nga një milje detare det, duke nisur nga brigjet e Gadishullit të Karaburunit deri tek Ishulli i Sazanit.
Vetë Gadishulli i Karaburunit është një Rezervë Natyrore, ndërsa ishulli i Sazanit është një zonë ushtarake.
Agjencia Kombëtare e Bregdetit lejoi udhëtimet në ishullin e Sazanit për publikun e gjerë në korrik të 2015-ës.