Arkitekturë minimaliste bashkëkohore, me frymë Mesdhetare – në resortin më elitar në Shqipëri!
Arkitektura është art dhe shkencë. Që në lashtësi ajo përkufizohej si një bashkërendim i të tre elementëve: “Bukuri” (Venustas), “Fortësi” (Firmitas) dhe “Funksionalitet” (Utilitas); ndërsa në kohët moderne arkitektura artikulohet si një ndërthurje e estetikës, strukturës dhe funksionit.
Por për të përshkruar arkitekturën në Green Coast Resort në Palasë, natyrshëm të vjen ndërmend përkufizimi i Johan Volfgang fon Gëte: “Unë e quaj arkitekturën muzikë të ngurtësuar”.
Stili i arkitekturës në Green Coast Resort është minimalist-bashkëkohor, me frymë mesdhetare dhe si i tillë karakterizohet nga linja të pastra e të lexueshme, thjeshtësi në formë e funksion, volume me hapësirë e plot dritë, klas dhe elegancë.
Në funksion të stilit minimalist, janë përzgjedhur me kujdes edhe materialet e përdorura, të cilat shprehin nga njëra anë teknologjinë më të lartë të ndërtimit dhe nga ana tjetër thjeshtësinë maksimale estetike. Materialet që spikasin janë materialet me bazë druri dhe xhami, e në kontrast me natyrën e ashpër por njëkohësisht të bukur të zonës, spikasin edhe muret e gurit dhe shtrimet e rrugëve me kompozime guralecësh.
“Një karakteristikë unike e këtij projekti dhe njëkohësisht sfidë teknologjike, janë vetratat e mëdha të vilave, të cilat mundësojnë eleminimin e kufirit midis hapësirës së brendshme dhe asaj të jashtme, në varësi të nevojës së banorëve. Këto vetrata, krahas komfortit dhe komoditetit termik shumë të nevojshëm për një resort në një bregdet me klimë Mesdhetare, lejojnë gjithashtu që banorët të shijojnë maksimalisht natyrën dhe të krijojnë një lidhje emocionale të jashtëzakonshme me të” – shprehet Jonida Buda, Menaxhere e Projektit në Green Coast.
“Sfida e arkitektëve të Green Coast Resort ka qënë ruajtja e raportit të hapësirës së madhe të dritës me volumet e pastra të vilave. Ky raport krijon edhe ’lojën’ artistike të këtij kompozimi të dritëhijes, një art kontemporan të cilin e kërkon dinamika e kohës” – thekson znj. Buda.
Avantazh tjetër i këtij projekti është pozicionimi i vilave në resort, i cili lejon që çdo vilë të jetë e orientuar me pamje nga deti dhe njëkohësht prej strukturës së ngurtë dhe dritareve të kufizuara në pjesët anësore të vilave, të respektohet privatësia e banorëve.
Hapësirat e brendshme karakterizohen nga forma të rregullta e sipërfaqe racionale, të cilat plotësojnë më së miri kërkesat dhe nevojat e familjes. Kati i parë i vilave i cili i dedikohet ambientit të ndenjes, ngrënies dhe gatimit, ka një stil “open space”, stil i cili lejon fleksibilitet dhe dinamizëm në arredim. Kati i dytë i dedikohet ambientit të gjumit, me ballkon e vetrata të mëdha, ku bie në sy edhe elementi Brisoleil. Brisoleil ose hijëzuesi vertikal, është një tjetër risi arkitekturore e këtij projekti, i cili krahas aspektit estetik, ka edhe aspektin funksional në drejtim të hijëzimit dhe thyerjes së dritës së diellit. Brisoleil ka bazë druri, të përpunuar në mënyrë teknologjike, fakt i cili sjell një jetëgjatësi dhe qëndrueshmëri më të madhe, në përshtatje me kushtet atmosferike të bregdetit.
Shëtitorja e Green Coast Resort, ka gjithashtu një stil minimalist, me materiale me bazë druri dhe guri, projektuar me një arkitekturë shumë dinamike, e cila favorizon vizitorët të përjetojnë një eksperience unike dhe shumë të këndshme. Njësitë e shëtitores janë të projektuara me shumë hapësirë dhe me një lartësi të madhe, pjesa e sipërme e të cilave do të vishet me guralecë si ata të plazhit të mrekullueshëm të Palasës.
Shëtitorja është projektuar nga studio italiane “Iraci Architect”, e cila është vlerësuar me çmimin e parë për projektin e kësaj shëtitore nga revista prestigjoze “The Plan”, një nga revistat më të njohura Europiane dedikuar arkitekturës dhe dizajnit.
Një avantazh tjetër i Green Coast Resort është edhe projekti i gjelbërimit, falë të cilit zona do pasurohet me shumëllojshmëri bimësh mesdhetare e në veçanti përgjatë shëtitores do të ketë “oaze” të gjelbëruara, shumë të përshtatshme për aktivitete sportive e hapësira relaksi.
Nazar Beach, restoranti elitar në shëtitoren e Green Coast Resort, reflekton një dizajn të lirë, unik dhe të pazakontë, frymëzuar nga stili “boho chic” dhe njerëzit me shpirt të lirë dhe artistik. Kombinimi i materialeve natyrore bazike, si druri dhe kashta dhe përzgjedhja e ngjyrave të ngrohta të tokës, pasqyrojnë një stil origjinal, në dukje të thjeshtë, por mahnitës.
Ky sezon veror ka për të ofruar më shumë për këdo: det, diell dhe arkitekturën mahnitëse të Green Coast Resort!
Për më shumë informacion mbi projektin Green Coast, vizitoni www.greencoast.al ose kontaktoni në: info@greencoast.al; +355 698014999.