Green Coast, si një prej projekteve më prestigjioze të Rivierës Shqiptare është duke tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e mediave ndërkombëtare. BBC Travel ka renditur Shqipërinë ndër destinacionet më të famshme botërore si Pulia në Itali, Bregu Alentejo në Portugali, Andermatt-Sedrun-Disentis në Zvicër, Riviera Franceze, Sllovenia, Peloponezi në Greqi, Parisi dhe bregdeti perëndimor i Suedisë, duke identifikuar Green Coast si një prej destinacioneve që duhet të vizitohet këtë verë.

Nga pushimet romantike në Mesdhe e deri te ecjet në alpe, të mbushura me ajër të pastër, ka shumë vende emocionuese në Evropë për t’u vizituar këtë vit, shkruan Stacey Leasca për BBC.

Ndërsa pjesa më e madhe e Evropës është plot me histori, kulturë, kuzhinë dhe peizazhe që të lënë pa frymë, disa pika janë veçanërisht të përgatitura për të mirëpritur vizitorët.

Kjo nuk është lista tipike e pushimeve, me qytetet më të famshme si Roma apo Londra. Kjo është një listë më e kuruar, me zgjedhje specifike për vitin 2025 që do t’i bëjnë pushimet e këtij viti veçanërisht të paharrueshme, duke e renditur edhe Shqipërinë si një vend më kulturë e histori të pasur dhe plazhe përrallore.

BBC vijon duke theksuar se Shqipëria ka qenë prej kohësh një nga destinacionet më të nënvlerësuara të Evropës, por kjo po ndryshon me ritme të shpejta. Me politika të lehtësuara për vizat dhe aksesueshmëri më të lehtë nga ajri, vendi po ngjitet fuqishëm në hartën ndërkombëtare të udhëtimeve.

Vetëm në vitin 2024, Shqipëria mirëpriti një rekord prej 11.7 milionë vizitorësh ndërkombëtarë – një bum që, sipas BBC, lidhet ngushtë me kërkesën globale për destinacione të paprekura në Mesdhe. Prandaj, sipas medias, tani është momenti ideal për të zbuluar këtë perlë bregdetare përpara se të mbipopullohet.

“Shqipëria po bëhet shpejt e njohur për përzierjen e saj unike të historisë, bregdetit të virgjër dhe skenës në zhvillim të kulinarisë dhe verës”, thotë Kimberly Denison, këshilltare e pavarur udhëtimesh.

Ajo përmend si pika kryesore Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO, plazhet e paprekura të Rivierës Shqiptare, si dhe vreshtat e Beratit, të cilat së bashku ofrojnë një përvojë mesdhetare ende larg turizmit masiv, por që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje.

Pjesë e këtij zhvillimi është edhe rritja e standardeve të akomodimit luksoz. Green Coast, i pozicionuar pranë zonës së mbrojtur nga UNESCO, Butrintit, është përmendur si një shembull i qartë i investimeve që synojnë të ofrojnë një nivel të ri ekskluziviteti dhe komoditeti në brigjet shqiptare.

“Shqipëria është në prag të transformimit në një prej destinacioneve kryesore për pushimet luksoze në Mesdhe”, shton Denison.

Ndërkohë, vendet si Ksamil po rriten në popullaritet, por ata që zgjedhin të eksplorojnë përtej pikave të njohura shpërblehen me ujëra të kristaltë që rivalizojnë edhe ishujt më të famshëm të Greqisë.

BBC përmend gjithashtu qytetin e Vlorës, ku projekte madhore si Marriott në Vlora Marina, që pritet të hapet në vitin 2028, konfirmojnë se Shqipëria nuk do të mbetet gjatë një sekret i ruajtur mirë në Mesdhe.