Kristjano Kola nga qyteti i Vlorës, i cili studion në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, dega Menaxhim Turizmi, u shpall fitues i një burse studimi të ofruar nga kompania Green Coast, e cila operon në sektorin e turizmit elitar. Ky kontribut vjen në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga kjo kompani, në ndërmarrjen e hapave konkretë për krijimin e një turizmi të qëndrueshëm.

 

Arritja e rezultateve të larta gjatë vitit të parë të studimeve master ishte kriteri kryesor në përzgjedhjen e tij për të përfituar bursën e ekselencës për vitin akademik 2018 – 2019.

 

Me qëllim mbështetjen dhe promovimin e studentëve të zonës së Jugut, si një potencial për t’u punësuar pranë strukturave të Green Coast në përfundim të studimeve, shoqëria Green Coast vlerësoi origjinën e tij si një kriter tjetër përzgjedhës.

 

Zhvillimi i platformës së turizmit të qëndrueshëm, nis me zhvillimin e burimeve njerëzore, ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të zonës, krijimin e standardit të profesionalizmit, me qëllim rritjen e punësimit lokal” – u shpreh Ermelinda Nezaj, Drejtore e Departamentit të Burimeve Njerëzore, në kompaninë Green Coast.

 

Duke marrë shkas nga rritjet e niveleve të emigrimit dhe nga vështirësitë reale që po has kompania në terren, Green Coast e shikon me prioritet dhe në tërësi çështjen e identifikimit të kontigjentit të duhur e më tej edhe të përgatitjes me trajnime të specializuara të këtij kontigjenti. Të gjithë këtë përfshirje, kjo kompani e konsideron jo vetëm një investim të drejtpërdrejtë për të patur një forcë pune të vetën të kualifikuar në zonën e Jugut të vendit, por edhe një kontribut me vlerë për mbështetjen e mëtejshme të kësaj zone.

 

 “Bursa për studentin Kristjano Kola, është bursa e parë që Green Coast po jep për të vlerësuar dhe mbështetur Turizmin”,- u shpreh Evis Çeliku, Drejtore Ekzekutive e Green Coast Resort. “Kjo bursë do të pasohet me bursa të tjera në vitet e ardhshme duke e kthyer këtë nismë në një traditë në mbështetje të turizmit kombëtar dhe zhvillimit të kapaciteteve njerëzore” – tha ajo.

 

Green Coast Resort me vlerë 100 milionë Euro, është investimi më i rëndësishëm i Grupit Balfin, grupi më i madh dhe inovator i investimeve në Shqipëri dhe një ndër më të mëdhenjtë në rajon. Projekti elegant, ndërtuar në mënyrë strategjike në Palasë, në një prej fshatrave më të bukur të Rivierës Shqiptare, është një resort i rrallë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjithë rajonin e Mesdheut.

 

Për më shumë informacion mbi projektin Green Coast, vizitoni faqen www.greencoast.al,  kontaktoni në info@greencoast.al/ ose në numrat: +355 698034444/0692020073.