Në vitin e katërt radhazi, Bursa “Green Coast” u akordua për studentët më të mirë të degës “Menaxhim Turizmi”, program master pranë Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Fituesit e bursës me rezultate të larta për vitin 2021, ishin Alfred Abazi dhe Artemisa Kola. Studentët shprehën mirënjohje për këtë mbështetje duke e veçuar si një prej rasteve të pakta në Shqipëri që studentët marrin një suport të tillë. Bursa “Green Coast” vlerëson studentët e fushës së menaxhimit të turizmit çdo vit, duke i nxitur drejt ekselencës.
I pranishëm në ceremoninë e akordimit të bursave, Z. Mirdaim Axhami, drejtues i departamentit pranë këtij fakulteti theksoi se “Studentët kanë shumë nevojë për mbeshtetje të tilla. Ne përpiqemi t’i përgatisim sa më mirë për tregun e punës, mirëpo përvoja e drejtpërdrejtë është e paçmuar. Sidomos kur bëhet fjalë për një korporatë si “BALFIN Group” që gjatë mësimit ne e marrim gjithmonë si etalon të barazvlefshëm me kompanitë e mëdha europiane e më gjerë.”
Studentët do të kenë mundësinë të kryejnë edhe një praktikë pune, pranë kompanisë me synim punësimin e tyre në përfundim të studimeve.
“Arsimi është një prej shtyllave të përgjegjësisë sociale të Green Coast dhe një nga sferat kryesore ku investimi gjithmonë kthehet pas shumëfish në përfitim të shoqërisë. Në kuadër të nxitjes së ekselencës në arsim, fokusi ynë është turizmi si gjenerator i drejtpërdrejtë punësimi dhe i forcimit të ekonomisë.” – U shpreh z. Latif Drenofci, CEO i Green Coast.
Duke i uruar sukses studentëve, Green Coast do të vijojë të shërbejë dhe kontribuojë për zhvillimin e qendrueshëm të komunitetit që e rrethon dhe rritjen e kapaciteteve të shërbimeve akomoduese në Shqipëri.