Genti Çekani student ekselent i degës “Menaxhim Turizmi” në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, shpallet fitues i bursës “Green Coast” 2020. Për të tretin vit radhazi, tashmë një traditë që na bën krenarë, bursa përbën një mbështetje direkte për zbulimin e talenteve shqiptare në sektorin e turizmit, hotelerisë dhe mikpritjes.

Procesi i akordimit të bursës është kryer me bashkëpunim të plotë mes ‘Green Coast’ dhe Departamentit të Marketingut në Fakultetin e Ekonomisë. Janë shqyrtuar listat e studentëve të nivelit master, bazuar në mesataren e notave të të gjitha lëndëve të vitit të I-rë. Studenti Çekani me mesatare 9.9 është konsideruar menjëherë fituesi i bursës.

Kjo traditë synohet të konsolidohet, duke besuar se nxitja e studentëve më të mirë sot do të prodhojë profesionistë më të mirë nesër. Green Coast Resort & Residences do të vijojë të shërbejë dhe kontribuojë për zhvillimin e qendrueshëm të komunitetit që e rrethon dhe rritjen e kapaciteteve të shërbimeve akomoduese në Shqipëri. Ky kontribut në arsim, si edhe kontribute të tjera në mjedis, turizëm dhe trashëgimi kulturore, janë shtyllat mbi të cilat ‘Green Coast’ ka ndërtuar përgjegjësinë sociale.