Palasa Beach, 2019

“Terapia Blu”

Shumë prej nesh e lidhin detin me ndjenjën e lumturisë, relaksit dhe shkëputjes nga rutina e përditshmërisë drejt arratisjes në natyrën magjepsëse.

Jeta është e shpejtë dhe dinamike. Jetojmë në rutinën e përditshme urbane, e cila për hir të së vërtetës është shumë e vrullshme dhe shpesh ndjejmë se kemi nevojë për një “rikarikim’ në mënyrë që mendja dhe trupi të jenë më produktivë e kreativë…

Një udhëtim drejt “blusë” do të ishte një arratisje e ëmbël nga rutina e përditshme duke qenë plotësisht i pranishëm në gjithçka që hasim për të kapur pamjet magjike, si dhe duke u ndjerë i përqafuar nga natyra e mrekullueshme përreth.

Filozofia “Mendësia Blu”, subjekt i hulumtimeve Europiane tashmë në rritje, është duke u studiuar nga biologu dhe studiuesi kalifornian Wallace J Nichols, i cili beson se uji është ilaç dhe brenda 10 vitesh do të jetë në fokus të çdo individi për të planifikuar shpesh arratisjen në magjinë e tij.

Ne besojmë fort se njerëzit që janë tashmë duke e shfrytëzuar fuqinë e ujit dhe jetojnë pranë detit, janë më të lumtur dhe gëzojnë një stil jetese më të shëndetshme.Ndër të tjera njerëzit e apasionuar pas sporteve mund të shijojnë edhe aktivitete të shumta ujore si:

  • Zhytja është një ndër terapitë më të mira dhe çdo kush duhet ta provojë! Mund të ndihesh i lodhur nga ritmi i shpejtë i jetës dhe nga gjithçka që je duke kaluar, por kur zhytesh brenda ujit, çdo gjë fshihet si me magji, një përtëritje e mendjes dhe e trupit duket se ndodh që në çastin e parë që ti humbet kontaktin me ajrin e takon detin magjik. Ti bëhesh një me botën nënujore dhe ndjen që stresi dhe lodhja zhduken si me magji.

 

  • Hedhja me parashutë pranë detit të jep gjithashtu një tjetër adrenalinë pabesueshmërisht të fuqishme…dhe pikërisht në momentin kur ti je në ajër, ti je pjesë e diçkaje që është shumë herë më e madhe se ty. Mund të ndjesh mijëra ndjesi të fluturojnë rreth teje. Je i lirë. Dhe pikërisht në këtë moment të venitet e gjithë xhelozia që kishe për zogjtë e qiellit sepse ç’ndryshim mund të ketë midis teje dhe zogjve të qiellit? Asgjë. Nuk ka më limite. Hap krahët e fluturo përgjatë detit të pafund.

Të shohësh kupën e zjarrtë të diellit teksa shuhet në blunë e detit dhe e bën horizontin të skuqet, të luash  volejboll në guralecët e bardhë që po ftohen e sërish të ngrohin teksa prekin lehtë lëkurën, të ulesh buzë detit e të shijosh muzikën e lehtë që krijojnë dallgët teksa puthin shkëmbinjtë e largohen përsëri sikur të duan të luajnë me to, shoqëruar me cicërimat e lumtura të zogjve, të jesh me miqtë apo familjen duke shijuar një pije e duke ndezur një zjarr të ngrohtë gjatë kohës kur pëlhura e freskisë së natës përqafon vendin, është ndjenja e mrekullueshme që mbush qënien tënde me jetë. Për ne deti është plotësisht një inspirim, në prezencën e të cilit, ti ndjen që nuk je më vetëm.

 

Pas çastit magjik kur sytë e mi panë detin, nuk munda më të shihja, të mendoja, apo të jetoja njësoj si më parë.”-Jacques-Yves Cousteau