Nxënësit e shkollës “Gjik Bixhili” në Dhërmi këtë vit akademik mund t’i zhvillojnë temat e teknologjisë së informacionit në një laborator të ri informatike. Green Coast pajisi me infrastrukturën e duhur laboratorin e shkollës, në mënyrë që mësuesit të zhvillojnë më mirë lëndët e kurrikulës.

Drejtoresha e shkollës, Eva Petromilo, vlerësoi bashkëpunimin dhe theksoi vlerën që merr teknologjia në ditët e sotme. “Krahas temave të mësimit, laboratori u jep mundësi nxënësve dhe mësuesve tanë të praktikojnë edhe mësimin online, i kthyer tashmë në domosdoshmëri”, u shpreh ajo.

Kompania Green Coast plotësoi nevojat edhe të kopshteve në zonën e Himarës, me produktet didaktike dhe argëtuese sipas grupmoshave për rreth 160 fëmijët që i frekuentojnë.

Latif Drenofci, Drejtori Ekzekutiv i kompanisë Green Coast, ishte i pranishëm në të dy institucionet dhe theksoi angazhimin e të gjithë Grupit BALFIN për të dhënë kontribut në komunitetin ku shtrin aktivitetin. Ai theksoi se “kontributi për arsimin është ndihmë për një shoqëri më të mirë. Green Coast, si pjesë e Grupit BALFIN, do të jetë përkrahëse e vazhdueshme e arsimit dhe kulturës në zonën e Himarës dhe komunitetin vendas e konsideron partner në veprimtarinë e vet të përditshme”.