Pozicionuar në pjesën jugperëndimore të Gadishullit Ballkanik, Shqipëria ka një pozitë të favorshme gjeografike teksa kufizohet në veriperëndim me Malin e Zi, në verilindje me Kosovën, në lindje me Maqedoninë e Veriut dhe në jug me Greqinë. Shqipëria është 78 km pranë Italisë, përgjatë Kanalit të Otrantos.
Me rreth 3 milionë banorë, Shqipëria është e njohur për tolerancën fetare, kulturën etnografike, florën shumë të pasur dhe faunën me specie endemike. Klima mesdhetare është tipike në Shqipëri falë vendndodhjes gjeografike. 300 ditë në vit me diell dhe dimër të butë i japin hov shpirtit eksplorator për të zbuluar territore dhe për të qenë pjesë e aventurave të reja.
Brigjet e Shqipërisë lagen nga ujërat e deteve Adriatik dhe Jon, ndërsa në brendësi të territorit shqiptar, që ka një sipërfaqe prej 28.748 km2, gjenden liqene, lumenj, lugina dhe vargmale, të cilat ofrojnë pamje përrallore dhe janë ndër atraksionet turistike më të vizituara.
Shqipëria ofron pasuri natyrore, turistike, historike të panumërta, duke përfshirë këtu edhe një kulturë të larmishme në shumë drejtime, si në kinematografi, teatër, art figurativ, etj.
Në këtë vend, të njohur si “Perla e fshehur e Evropës”, një epitet që ia kanë vendosur turistët dhe mediat ndërkombëtare, gjenden disa pasuri të mbrojtura nga UNESCO, të përfshira në fondin e Trashëgimisë Botërore.
Historia, tradita dhe natyra e pasur, destinacionet mbresëlënëse, bujaria dhe gjallëria e njerëzve të saj, e bëjnë Shqipërinë një përvojë e paharrueshme!
Si një nga atraksionet turistike më të mëdha shërben fakti se Shqipëria ka koston e jetesës më të ulët në Europë. Çmimet e pasurive të paluajtshme janë gjithashtu më të ulëtat në rajon: 56% më të ulëta se Greqia, 50% më të ulëta se Mali i Zi, 60% më të ulëta se Kroacia dhe 75% më të ulëta se Italia. Gjatë 5 viteve të fundit ka pasur rritje të çmimeve të pronave rreth 25% dhe kjo rritje pritet të vijojë. Kjo do të thotë se blerja e një prone sot, sjell kthim të lartë investimi nesër.
Trashëgimia natyrore, kulturore dhe historike
Gjirokastra
Gjirokastra u shpall Qytet-Muze në vitin 1961 dhe si vend i mbrojtur i Trashëgimisë Botërore në 2005-ën. Gjirokastra është dëshmi e gjallë e traditës, kulturës dhe stilit otoman. Ky qytet i veçantë është ndërtuar në shpatet e pjerrëta me shtëpitë prej guri që duket sikur janë ngritur mbi njëra-tjetrën. Pazari i vjetër në rrugët me kalldrëm të qytetit dhe kalaja, një nga më të mëdhatë në Ballkan, pasurojnë kulturën e Gjirokastrës.
Butrinti
Parku Kombëtar i Butrintit u shpall “Monument Kulture” në vitin 1948 dhe u regjistrua si vend i mbrojtur i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO në vitin 1992. U përfshi në Listën e Monumenteve në Rrezik në vitin 1997. Sipërfaqja e Parkut u zgjerua në vitin 1999.
Berati
Qyteti i Beratit në vitin 1961, u mor nën mbrojtje nga shteti shqiptar dhe u deklarua “Qytet Muze”. Arkitektura e veçantë e Beratit, ku përfshihet stili otoman, e bëri atë të listohej si vend i mbrojtur i Trashëgimisë Botërore në vitin 2005 dhe u ratifikua në vitin 2008. Në Berat gjenden gjurmë të gjalla të periudhave ilire, romake, bizantine dhe osmane. Qyteti njihet për kalanë, kishat e vjetra ortodhokse, të shtrira në të gjithë qytetin, për xhamitë qindra vjeçare, muzetë dhe koleksionet e vyera të afreskëve, ikonave dhe gravurave, të hapura për sytë e etur të vizitorëve të rafinuar.
Kodikët e Beratit
Dy kodikët e Beratit janë dorëshkrime me një rëndësi të madhe historike për fillimet e letërsisë biblike, të cilat zyrtarisht quhen “Kodiku i Purpurt i Beratit”. Kodiku u fut në UNESCO në vitin 2005. Dy Kodikët e Beratit u botuan në vitin 1887 dhe janë shkruar në greqishten e lashtë. Sot ata gjenden në Arkivin Kombëtar të Shqipërisë.
Isopolifonia
Iso-polifonia shqiptare, e famshme tashmë në mbarë sferën kulturore të globit, u shtua në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë orale të njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO në vitin 2005. Ajo është një nga vlerat më të mëdha të folklorit muzikor shqiptar, si dhe të traditës folklorike botërore.
Liqeni i Ohrit
Për bukurinë e Liqenit të Ohrit flitet shumë. I ashtëquajturi ‘Liqeni i Dritës’, ky liqen, më i thelli në Ballkan, u shpall pasuri natyrore nga UNESCO në vitin 1980; nga korriku i vitit 2019 hyri në këtë listë edhe pjesa shqiptare e liqenit. Liqeni i bukur i mjelmave është një ekosistem ku jetojnë më shumë se 200 specie, duke përfshirë koranin, peshkun e shijshëm që jeton vetëm në këto ujëra.
Lumi i Gashit
Lugina e Gashit shtrihet në verilindje të Alpeve, në pellgun e Parkut Kombëtar të Valbonës. Pyjet e lashta të ahut që rrethojnë luginën janë arsyeja pse kjo zonë u fut në UNESCO. Pamjet përrallore që ofrojnë liqenet akullnajorë të Dobërdolit dhe Sylbicës i japin edhe më shumë bukuri zonës.
Rrajca
Pranë zonës së Përrenjasit, në një hapësirë prej 4700 ha, shtrihet Rrajca, e cila është pjesë e European Green Belt të pyjeve të ahut dhe një nga vendet e pakta ku mund të gjendet rrëqebulli ballkanik. Rrajca bën pjesë në Parkun Kombëtar Shebenik – Jabllanica, i cili përshkrohet nga pyje, livadhe e lule shumëngjyrëshe që janë tejet të paprekura.